Ka filluar tashmë “fushata” e tifozëve kuqezinj në Facebook për ndeshjen e 8 tetorit ndaj Serbisë.
Natyrisht, shumë prej tyre, sipas të gjitha gjasave, do të mbeten jashtë stadiumit në këtë datë, sepse mënyra e shpërndarjes së biletave po orientohet nga FSHF-ja më shumë nga zyrtarët, me qëllim që të shmangë incidentet e mundshme në “Elbasan Arena”.
Duke ditur se çfarë ndodhi në ballafaqimin e parë, të ndërprerë në minutën e 41-të, 14 tetorin e kaluar në Beograd, natyrshëm lindin dyshimet për një hakmarrje të serbëve. Kjo do të na bënte tepër “vulnerabël” para UEFA-s, e cila mezi pret të bëjmë gabimin më të vogël dhe të na ndëshkojë. Sepse, këtë institucion e sfiduam në KAS-in e Lozanës, kur hodhëm poshtë vendimet e tij dhe morën 3 pikët në tavolinë për ndeshjen e pambaruar me Serbinë.
Përderisa në lojë, në shpërndarjen e biletave, është futur edhe SHISH-i, pa llogaritur këtu policinë etj., gjithçka do të kalojë në “vrimën e gjilpërës”. E nëse tifozët e thekur e të zjarrtë të kombëtares, që nuk mund ta zhveshin veten nga adrenalina dhe mënyra e veçantë e përjetimit të një ndeshjeje të tillë, policia do t’i “krasisë” nëpërmjet “filtrave” të ndryshëm, askush nuk mund t’i ndalë të bëjnë tifo përmes rrjeteve sociale, transmeton telesport.
Kështu, “Albania Team”, një faqe e tifozëve kuqezinj në Facebook, ka hedhur së fundi një baner jo pak provokues për ndeshjen me Serbinë. Në foto është një montazh i flamurit që fluturoi me dron mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, 14 tetorin e vitit të kaluar, që mediat botërore e konsideruan “Shqipëria e Madhe”, si dhe kapiteni Lorik Cana, që e ka vënë përposhtë tifozin serb, i cili sulmoi me karrige Balën, me grushtin te koka e tij.
Read more...